Sermons  Pulpit Series Newsletters   Fuqia e pranisë së Perëndisë - Një mesazh shprese në këto kohë të vështira

Fuqia e pranisë së Perëndisë - Një mesazh shprese në këto kohë të vështira

by David Wilkerson | March 2, 2009

  E-mail to a Friend     Print  Print

March 2, 2009

Ky është një mesazh mbi fuqinë e gjithpushtetshme të pranisë së Perëndisë dhe se si fëmijët e Perëndisë mund të mbështeten fort tek ky pushtet. Shkrimi i shenjtë përmban një mori shembujsh se si prania e Perëndisë i aftëson njerëzit e Tij të jetojnë për të. Një prej shembujve më domethënës është edhe jeta e Moisiut.

Moisiu ishte i bindur sa pa praninë e Perëndisë në jetën e tij, çdo gjë do të ishte e pamundur. Kur ai fliste ballë përballë me Perëndinë, ai deklaronte me guxim se: “Nëse prania jote nuk vjen me mua, mos na nis që këtej”. Ajo çfarë Moisiu po thoshte ishte: “Zot, nëse ti nuk vjen me ne, atëherë nuk kemi për t’ia dalë mbanë. Ne nuk do të ndërmarrim asnjë hap të vetëm derisa të sigurohemi që prania jote është me ne”.

Moisiu ishte i vetëdijshëm që ishte prania e Perëndisë që i bënte ata të ndryshëm nga të gjithë popujt e tjerë. E njëjta gjë është edhe sot për njerëzit e Perëndisë. E vetmja gjë që na veçon ne nga jobesimtarët është prania e Perëndisë “me ne” e cila nga udhëheq, na drejton, dhe që punon në ne dhe përmes nesh. Prania e tij largon tutje frikën dhe pështjellimin.

Qendrimi i Moisiut ishte: “Ne veprojmë mbi bazën e një parimi të vetëm. E vetmja rrugë për ne që të udhëhiqemi apo drejtohemi, që të luftojmë apo mbijetojmë në këto kohë të vështira është që të kemi praninë e Perëndisë me ne. Kur prania e tij është në mesin tonë, atëherë askush nuk mund të na shkatërrojë. Pa të ne jemi të pafuqishëm, jemi asgjë. Le të mbështeten kombet e tjera tek ushtritë e tyre të mëdha, tek karrocat e hekurta apo ushtarët e stërvitur. Sa për ne, ne do të mbështetemi tek manifestimi i pranisë së Perëndisë.”

Perëndia iu përgjigj deklaratës së guximshme të Moisiut: “Prania ime do të shkojë me ty, dhe unë do të të jap pushim.” Fjala “pushim” në hebraisht do të thotë “siguri që sjell paqe dhe komfort”. Perëndia po thoshte: “Nuk ka rëndisi se me çfarë beteje apo vështirësie po përballesh, ti gjithmonë do të gjesh një vend qetësie dhe sigurie tek unë.”

Thjesht mendoni për shembujt e mëposhtëm:

• Prania e Perëndisë ishte kaq e dukshme në jetën e Abrahamit, saqë edhe paganët rreth tij mundën të vinin re ndryshimin midis jetës së tyre dhe jetës së Abrahamit: “Abimeleku…i foli Abrahamit duke i thënë: “Perëndia është me ty në tërë ato që bën.” (Zanafilla 21:22). Ky mbret pagan po thoshte: “Diçka është e veçantë rreth teje Abraham. Perëndia është me ty kudo ti shkon.”

• Zoti i premtoi Jozueut se asnjë armik nuk do të mund t’i rezistonte kur prania e Perëndisë do të ishte me të: “Askush nuk do të mund të të kundërshtojë gjatë tërë ditëve të jetës sate; ashtu siç kam qenë me Moisiun, kështu do të jem me ty; nuk do të të lë, as nuk do të të braktis. Ji i fortë dhe trim, sepse ti do të bësh që ky popull të zotërojë vendin që u betova t`u jap etërve të tyre.” (Jozueu 1:5–6). Kur Fryma e Perëndisë është me ne, atëherë mund të jemi të fortë dhe me kurajo për shkak të premtimit të Tij se ai do jetë me ne në të gjitha rrugët tona.

• Perëndia i tha Gideonit: “Zoti është me ty, o luftëtar trim!... Shko me këtë fuqi që ke dhe shpëtoje Izraelin” (Gjyqtarët 6:12, 14). Fjalët “këtë fuqi” i referohet vargut të mëparshëm: “Zoti është me ty”. Perëndia po thoshte: “Gideon, në ty ka një forcë kaq të pushtetshme sa të shpëtojë Izraelin. Kjo forcë është prania ime.” Megjithëse Gideoni e konsideronte veten frikacak, Perëndia e quajti “luftëtar trim”. Pse? Sepse Zoti donte të provonte se çfarë mund të bëjë dikush kur prania e tij është me të.

• Perëndia i tregoi Isaias për një premtim të veçantë që Perëndia u bën atyre që Ai do: “Mos ki frikë, sepse unë të kam çliruar, të kam thirrur me emër; ti më përket mua. Kur do të kalosh përmes ujërave unë do të jem me ty, ose do të kalosh lumenjtë, nuk do të të mbytin; kur do të ecësh nëpër zjarr, nuk do të digjesh dhe flaka nuk do të të konsumojë. Sepse unë jam Zoti, Perëndia yt…Sepse ti je i çmuar në sytë e mi. Mos ki frikë, sepse unë jam me ty.” (Isaia 43:1–5). Me praninë e Perëndisë brenda teje, mund të ecësh nëpër zjarr, dhe jo thjesht do të mbijetosh, por Perëndia do të mbajë në duart e tij dhe do të të mbrojë gjatë të gjithë kohës.

Këto shembuj nga Dhjata e Vjetër nuk janë thjesht histori të shkuara dhe pa vlerë. Këto shembuj janë aty për të na inkurajuar të mbajmë besimin fort tek Perëndia për të pasur praninë e tij në jetët tona. Ashtu si Abrahami, Jozueu dhe shumë të tjerë, edhe ne kemi një dëshmi të fortë të asaj çfarë Perëndia ka bërë për ne: ka drejtuar hapat tona, ka hapur dyer, ka larguar pengesa, na ka çliruar nga frika dhe pasiguritë.

Mendoni pak për Mbretin Asa. Ky njeri drejtoi popullin e Perëndisë drejt një fitoreje të mrekullueshme mbi ushtrinë etiopase prej 1 milion ushtarësh. Pas fitores, ai dëshmoi se ishte prania e Perëndisë ajo që kishte shpartalluar ushtrinë kundërshtare: Atëherë Asa i klithi Zotit, Perëndisë të tij, dhe tha: "O Zot, nuk ka njeri veç teje që mund të ndihmojë në luftimet midis një të fuqishmi dhe atij që i mungon forca. Na ndihmo, o Zot, Perëndia ynë, sepse ne mbështetemi te ti dhe dalim kundër kësaj shumice në emrin tënd. O Zot, ti je Perëndia ynë; mos lejo që njeriu të ta kalojë ty!... Kështu Zoti goditi Etiopasit përpara Asas.“ (2 Kronikasve 14:11–12).

Ndërsa Asa po udhëhiqte triumfalisht ushtrinë e tij drejt Jeruzalemit, profeti Azariah u takua me të në hyrje të portave të qytetit dhe i dha këtë mesazh: “Zoti është me ju, kur ju jeni me të. Në rast se e kërkoni, ai do të vijë tek ju, por në rast se e braktisni, edhe ai do t`ju braktisë. Për një kohë të gjatë Izraeli ka qenë pa Perëndinë e vërtetë... Por në fatkeqësinë e tyre ata u rikthyen tek Zoti, Perëndia i Izraelit, e kërkuan dhe ai i la ta gjenin.” (15:2–4).

Ky është sekreti se si mund të merrni dhe mbani praninë e Perëndisë në jetën tuaj. Zoti i kujtoi Asas në mënyrë të qartë: “Asa, mos harro sesi e more këtë fitore. Kur ishe në vështirësi, më kërkove me të gjithë zemrën tënde, dhe unë dërgova praninë time me ty. Mos harro, ishte prania ime ajo që të solli fitoren.”

Kur prania e Perëndisë mungon, atëherë asgjë nuk është në formën apo gjendjen e duhur, pa ligj, pa drejtim dhe pa udhëzime të drejta. Kjo është një gjendje e pranishme sot në shumë shtëpi të krishtera: asgjë nuk është në rregull, pa paqe dhe qetësi, gjithkush bën atë që dëshiron. Zoti në mëshirën e tij trishtohet për një gjendje të tillë.

Por nuk duhet të jetë kështu. Premtimet e Perëndisë janë të pandryshueshme, dhe fjala e tij premton: “Për të gjithë jetën tënde, nëse më kërkon, atëherë unë do të jem me ty. Kur të më thërrasësh, unë do të gjendem prej teje.”

Kjo që po them nuk është ndonjë doktrinë e komplikuar teologjie. Gjithkush mund të jetojë në praninë e Perëndisë nëse ai apo ajo e kërkojnë këtë gjë me besim. Ne na është premtuar: “Zoti...do të vijë tek ju “(15:2). Një përkthim tjetër thotë: “Zoti...do të gjendet nga ju”. Fjala në hebraisht për “do të gjendet” në rastin konkret nënkupton “prania e tij vjen për të na aftësuar, për të na bekuar.” Me fjalë të tjera: “Kërkojë Perëndinë me të gjithë zemrën tënde, dhe ai do të shfaqë praninë e tij. Do të jetë forca e plotfuqishme e cila do të të aftësojë të jesh i qendrueshëm dhe mos kesh frikë.”

Kur izraelitët ishin në shkretëtirë, Perëndia e shfaqte praninë e tij nëpërmjet një reje. Kjo re ishte manifestimi fizik i premtimit të Perëndisë se ai do të ishte me njerëzit e tij. Reja mbulonte tabernakullin ditë e natë, dhe shërbente si udhërrëfyes për çdo veprim të izraelitëve. Kur reja lëvizte, edhe izraelitët lëviznin pas saj. Kur reja ndalonte, edhe ata ndalonin. Popullit i Izraelit nuk i duhej të përpiqej të kuptonte se ku duhet të shkonin apo se kush do të ishte e ardhmja e tyre. Ata vendosën të gjithë besimin e tyre në renë e dukshme të pranisë së Zotit.

Sot, reja e pranisë së Perëndisë gjendet në vendin tënd të fshehtë të lutjes. Pret çdo ditë për të të mbuluar me paqe. Ajo do të të drejtojë, fuqizojë dhe do të të mbajë në paqen e Perëndisë duke të dhënë drejtim për familjen, punën dhe marrëdhëniet e tua. Dhe ti mund të bashkëbisedosh me Perëndinë në çdo vend dhe kohë, madje edhe duke shkuar për në punë. Duke harruar gjithçka mund të thuash: “Zot, në këtë gjysëm ore kohë që kam, dua të flas me ty.” Dhe pikërisht kjo do të jetë koha jote vetëm për vetëm me Zotin.

Është e mrekullueshme të shpenzosh kohë cilësore me Zotin, duke ndërtuar në këtë mënyrë një marrëdhënie të vazhdueshme intime. Zoti premton që sa më shumë kohë kalon me të, aq më prezente do të jetë prania e tij në jetën tënde duke bërë bërë të mundur planin hyjnor të tij. Por për më tepër, një gjë akoma edhe më madhështore ka për të ndodhur: Lavdia e Krishtit do të të zbulohet ndërsa kërkon vazhdimisht praninë e Perëndisë.

Moisiu i kërkoi Perëndisë një manifestim të përhershëm të pranisë së Zotit “...që të kem mundësi të të njoh.” (Eksodi 33:13). Dhe Perëndia iu përgjigj shërbëtorit të tij: “Prania ime do të shkojë me ty, dhe unë do të të jap pushim.” (33:14).

Kërkesa që bëri Moisiu do të mjaftonte për shumë të krishterë. Cili prej nesh nuk dëshiron paqen dhe pushimin e premtuar nga Perëndia? Çfarë mund të dëshirojë dikush më shumë se kaq? Megjithatë, thjesht siguria që prania e Perëndisë do të ishte me Moisiun, nuk ishte e mjaftueshme për të. Moisiu e dinte që kishte me tepër se kaq, dhe për këtë arsye ai thirri: “Tregomë lavdinë tënde.” (33:18).

Lavdia e Perëndisë nuk u shfaq si ndonjë re e ndriçuar apo në formën e ndonjë tërmeti të fuqishëm. Perëndia e shfaqi lavdinë e tij nëpërmjet një zbulimi të thjeshtë të natyrës së tij: “Dhe Zoti kaloi pranë tij dhe thirri: "Zoti, Perëndia i përjetshëm, i mëshirshëm dhe i dhembshur, i ngadalshëm në zemërim, i pasur në mirësi dhe në besnikëri, që përdor mëshirën për mijëra njerëz, që fal padrejtësinë, shkeljet dhe mëkatin” (34:6–7). Lexoje me kujdes! Lavdia e Perëndisë ishte një zbulim i perëndishmërisë, mëshirës, dashurisë dhe dhembshurisë së tij.

Dikush mund të pyesë: “Çfarë mund të themi atëherë për përjetimin e jashtëzakonshëm të dishepujve në Malin e Shpërfytyrimit? A nuk ishte edhe ajo një shfaqje e lavdisë së Perëndisë? Ajo ishte një shfaqje e mbifuqishme e shkëlqimit dhe një shfaqje e Moisiut dhe Elias.”

Në atë moment të jashtëzakonshëm, lavdia e Perëndisë nuk u shfaq në Moisiun apo Elian, apo në shkëlqimin spektakolar. Jo, lavdia e Tij rrëzëlluese ishtë në Jezusin: “Fytyra e tij shkëlqeu si dielli, dhe rrobat e tij u bënë të bardha si drita....u dëgjua një zë që thoshte: “Ky është Biri im i dashur, në të jam i kënaqur: dëgjojeni. (Mateu 17:2, 5–6,).

Kjo është lavdia e Perëndisë e personifikuar në Krishtin. Jezusi është zbulesa e të gjithë asaj çfarë Perëndia i tha se ishte (ai, Perëndia) Moisiut: i hirshëm, i mëshirshëm, i durueshëm, bujar në mirësi dhe në të vërtetë, i mëshirshëm me të gjithë, fal padrejtësitë dhe mëkatet. Në Malin e Shpërfytyrimit Perëndia zbuloi një pamje të gjallë të lavdisë së tij. “Gjithçka është trupëzuar në Birin tim.”

Kam dëgjuar disa të krishterë të thonë, se edhe sikur Zoti të më tregonte tmerret e ferrit, unë nuk do ta braktis kurrë atë. Unë me siguri do të jetoj për Jezusin çdo ditë. Megjithatë vizione të tilla nuk mbajnë asnjë larg mëkatit. Vetëm vizioni se kush është Jezusi – lavdia, hiri dhe mëshira e Perëndisë – mund të na mbajë të shenjtë.

Kam njohur një person që ishte shumë pranë vdekjes dhe pa një vizion të tmerreve të ferrit, dhe menjëherë u betua që do t’ia përkushtonte jetën e tij Jezusit. Megjithatë, brenda disa javëve ai vizion i frikshëm i ferrit u venit, dhe ai iu kthye jetës së tij mëkatare. Vëlla apo motër e dashur, Perëndia dëshiron të të ndriçojë sytë që të shohësh se cilat janë “pasuritë e lavdisë së trashëgimisë së tij në shenjtorët” (Efesianët 1:18). Kjo do të thotë se e gjithë lavdia që iu shfaq Moisiut është trupëzuar në Birin e Perëndisë. Dhe tani Krishti na është dhënë ne si trashëgimi. Sepse tek ai (Krishti Jezus) banon trupërisht gjithë plotësia e Hyjnisë” (Kolosianët 2:9).

Besoj se arsyen mund ta lexojmë tek ky varg: “Dhe atje do të takohem me bijtë e Izraelit; dhe çadra do të shenjtërohet nga lavdia ime.” (Eksodi 29:43). Fjala “do të shenjtërohet” do të thotë “do të pastrohet”. Perëndia po thoshte “Ndërsa ju më adhuroni, unë do të takohem me ju dhe do t’ju jap praninë time. Dhe kur të jeni në praninë time, atëherë do t’ju zbuloj lavdinë time. Unë do t’ju ngre lart mbi çdo rrethanë tuajën.”

Atëherë ku mund ta gjejmë këtë zbulim të Krishtit? Mund ta gjejmë vetëm nëse vijmë në lutje duke besuar në Fjalën e Perëndisë. Pali thotë se ndërsa ne lejojmë Shkrimin e Shenjtë të na shfaqë në mënyrë të vazhdueshme zbulimin e Jezusit, ne do të transformohemi nga lavdia në lavdi: “Dhe ne të gjithë, duke soditur fytyrëzbuluar lavdinë e Zotit si në pasqyrë, transformohemi në të njëjtën shëmbëllim nga lavdia në lavdi, posi prej Frymës së Zotit.” (2 Korintasit 3:18).

Ky zbulim i lavdisë së Krishtit do të na japë fuqi për jetët tona: “...sepse mbi tërë lavdinë do të ketë një mbrojtje.” (Isaiah 4:5). Me fjalë të tjera, lavdia e tij do të na e mbajë mendjen të fokusuar tek Perëndia në kohërat më të vështira.

Ajo çfarë Perëndia po përpiqet të na thotë është që të marrim kohë të njohim Birin e tij. Duhet të lexojmë dhe hetojmë Fjalën e Tij dhe lutemi çdo ditë. Dhe ndërsa qendrojmë në praninë e tij, sytë tanë do të çelen për të soditur lavdinë e tij. Gjithçka do të shfaqet në Krishtin. Jezusi është zbulesa e plotë e dashurisë, hirit, mëshirës dhe mirësisë së tij.

Dhe ndërsa reflekton mbi këtë zbulim dhe bashkëbisedon me Perëndinë çdo ditë, do të bëhesh gjithmonë e më shumë si Jezusi. Dhe kur të përjetosh se sa i dashur dhe i mëshirshëm është ai me ty, atëherë do t’i besosh atij gjithmonë e më shumë në çdo situatë. Fjala e tij shprehet qartë: “Në të vërtetë Zoti me sytë e tij shikon përpara dhe mbrapa tërë dheun për të treguar forcën e tij ndaj atyre që kanë një zemër të ndershme ndaj tij.” (2 Kronikave 16:9). Kërkoje atë me gjithë zemrën dhe dëshiroje fort praninë e tij në jetën tënde të përditshme. Atëherë do të njohësh dhe përjetosh lavdinë e tij të mrekullueshme.

Nuk mund ta imagjinoj se ku mund të gjejnë paqe jobesimtarët në këto kohë të vështira, pa praninë dhe sigurinë që vjen nga Jezusi. Frikë dhe ankth mbulojnë tashmë njerëzimin si një re e zezë. Kohët e fundit në një takim të disa prej njerëzve më të pasur të botës, një prej folësve tha: “Jemi në situatën më të vështirë të mundshme. Ne e shkaktuam vetë këtë situatë, dhe tani nuk gjejmë dot rrugëdalje.”

I jam mirënjohës Perëndisë për afërsinë dhe praninë e Jezusit në këtë kohë të tmerrshme. Unë personalisht po e shkarkoj barrën time të frikës dhe pasigurisë në qoshen time të lutjes, pikërisht atje ku edhe i shpreh dashurinë time Jezusit. E adhuroj atë në heshtje, duke e falenderuar dhe duke ndarë me të të gjithë dhimbjen, frikën dhe pasigurinë time. Çdo ditë këndoj një këngë të vjetër, e cila thotë: “Mbyllu me Perëndinë në vendin tënd të fshehtë të lutjes, atje në praninë e tij sodit fytyrën e tij, dhe merr forcë të re për të përfunduar garën. Mezi pres të takohem me Perëndinë.”

Vëlla dhe motër e dashur, Jezusi do të ecë me ty në të gjithë problemet e tua. Ai gëzohet në ty. Ti do t’ia dalësh mbanë, do të jesh fitimtar. Dashuria dhe prania e Perëndisë qofshin me ty!

Copyright/Reproduction Limitations: This data file/publication is the sole property of World Challenge, Inc. It may be printed in its entirety for the reader's personal use or to pass on to family and friends. It may not be altered or edited in any way and all reproductions of this data file/publication must contain this copyright notice. This material is not to be posted or transmitted publicly/electronically on any Web site, Web page or FTP site other than: worldchallenge.org, davidwilkerson.org or tscpulpitseries.org

© 2009 World Challenge, Inc., PO Box 260, Lindale, Texas 75771


  Back to Top